Freitag, 17. April 2009

NJE PUNE E MIRE QE NA GEZON TE GJITHEVE

maxhun smajli


Maxhun Smajli

NJË PUNË E MIRË QË NA GËZON TË GJITHËVE

(„E Djathta Shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, pjesa e I-rë)

Libri “ E Djathta Shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, pjesa e I-rë, në brendinë e vetë përmbanë materiale, kumtesa dhe recensione të prezentuara në Akademinë për të Djathtën Shqiptare, me 12 dhe 13 qershor të vitit 2004 në Hamburg të Gjermanisë, me moton: “Atdheu mbi të gjitha”.

Libri përbëhet nga katër pjesë:

- pjesa e parë, faqe 13 - 285, përfshihen materialet dhe kumtesat e 21 autorëve;

- pjesa e dytë, faqe 289 - 328, përfshihen recensionet e 6 librave;

- pjesa e tretë, faqe 331 - 337, faksimile gazetash për jehonën e Akademisë dhe

- pjesën e katërt, faqe 341 e deri në faqën 356, prezentohen fotografitë e 32 luftetarëve për Shqipërinë Etnike.

Ky libër i ngjanë një lapidari të ngritur në kujtim të të gjithë atyre që ranë për një ideal, bashkimin e trojeve shqiptare dhe popullit shqiptar në përgjithësi.

Këtu nuk ka simbolizma e metaforizma, por një realitet i thënë dhe i shkruar me një përgjegjësi të lartë dhe në mënyrë profesionale, ku fuqia dhe ngjyrat e shtjellimit të temave, i mbajnë lartë emrat e autorëve.

Të ndërlidhura e mira dhe e keqja, fitorja dhe humbja, që janë të domosdoshme për t’u njohur në të gjitha kohërat, paraqesin faktin se, kemi të bëjë me njerëz të pjekur dhe të rysur që u ngritën bashkë me historinë.

Më të filluar së lexuari shënimin hyrës “E Djathta Shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, shkruar nga Nue Oroshi, lexuesi do të verej shpirtin e një historiani të orientuar drejt ndriqimit të një realiteti historik, që për gjashtë dekada u ndalua, e u harrua qellimisht.

Në të njëjtën kohë, vërehet edhe guximi prej një intelektuali patriot, që të marrë iniciativë për të bartur nga një periudhë e largët në të sotmën, që për nga natyra nuk ndryshojnë mes veti, heronjët e një kohe tjetër.

Shqetësimi i Nue Oroshit për lënie në harresë pishtarët që udhëtuan nëpër errësirën e jetës së popullit shqiptar, tërhoqi vëmendjet e shumë historianëve, veprimtarëve dhe atdhetarëve të çështjes kombëtare.

Brenda kopertinave të këti libri, të bashkuar si shpirti e zemra, na bien në sy 567 emra atdhetarësh, bijë të një populli të shtypur, në zemrat e të cilëve qenë zgjuar idealet e larta të mbjella që nga kohërat antike. Pjesmarrës aktiv në të gjitha ngjarjet me synime revolucionare që nga moshat e hershme e gjerë në ditët e vdekjes. Gjithmonë të gatshëm për t’u përleshur me armiqtë e popullit të tyre.

Emrat e tyre përmendën me krenari, si njerëz luftëtarë por edhe krijues. Në vargjet e Ernest Koliqit, “Kënga e Kapedan Markut”, faqe 10, ku thuhet:

Fjalën e fundit, që më za t’thekun

La Kapedani para se me dekun:

* * * *
* t’mirën e t’keqen dava me Mirditas,

vuajta me ta, dhe vdiqa kur erdh dita

e Derën e Kanunit s’ta korita.

Lexuesit vetvetiu do t’i shfaqet metafora - „ e njeriut - guri“, i cili është në gjëndje t’i mposhtë në mënyrë stoike të gjitha vështirësitë në mbrojtje të burrërisë dhe identitetit të luftetarit shqiptar.

Ndërsa, në letrën e Marie Shllakut, derguar trimit të Drenicës, komandant Shaban Polluzhës, për pajtim me toger Mehmet Gradicën, që lexuesi do ta gjejë në punimin e Tomë Mrijajt, “Marie Shllaku, bijë e Shkodrës, martire e Kosovës”, faqe 102-124, tek thënja:“…, kam ardhur në Kosovë që të bëhem Kurban i këtij populli dhe i kësaj toke të bekuar,…”, vërehet qartë se logjika e ndarjës mes gjinisë dhe fesë nuk ekziston.

Ajo, edhepse e re në mesin e të moshuarve, femër në mesin e burrave dhe e krishterë në mesin e muslimanëve, merr guximin kombëtar kur thotë: “…, simbas Kanunit të shqiptarisë. Unë nuk dalë e gjallë prej kësaj ode, pa e plotësuar një dëshirë të madhe”. “…,thirre Mehmet Gradicën e merruni vesh mes vedit, pajtohuni”.

Thirrje kjo që merr përgjigje pozitive nga trimi i Drenicës, komandanti Shaban Polluzha, i cili duke i dëshiruar mirëseardhje Mehmet Gradicës, e mbanë lartë kontributin dhe autoritetin e vajzës shkodrane, ku thotë: “Të kam thirrë për hatër të kësaj bije, që është një Shotë e Skodrës, që të vijsh këtu e të besatohemi, siç besatoheshin burrat e dheut shekuj më rradhë. Të pajtohemi ndërmjet vedit e të luftojmë deri në vdekje bashkë si dy vëllezër…”. Pra, këtu shfaqet raporti midis arsyes dhe ndjenjës morale, që në esencë të gjitha ngjarjet përmblidhen tek problemi moral e kombëtar i asaj kohe.

Ngjarjet zhvillohen në 234 vendbanime të 29 krahinave shqiptare, duke u nisur nga Çamëria, Ilirida, Kosova Lindore, Sangjaku, Hoti, Gruda, Drenica, Dukagjini e deri tek bjeshkët e larta ku preket qielli në Malësinë e Madhe.

Të dhënat që sjellë ky libër u përgjigjen kryesisht vitëve 1943 / ’47, kur kandilat e gjakut të shqiptarit u shndërruan në pishtarë nën flamurin dhe hartën e Shqipërisë Etnike. Sistemi komunist shqiptar në bashkëpunim me forcat ushtarake të Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë përdoren të gjitha metodat për ta shuar gjeneratën diellore të asaj kohe.

Disa prej tyre vdiqën në vuajtje të denimëve, disa i mbytën nën torturë, disa u pushkatuan e disa të tjerë u detyruan të arratisen jashtë Atdheut, shumica prej të cilëve vdiqen me mallin për Atdhe.

Sipas të dhënave që na ofron ky libër, gjatë kësaj periudhe janë pushkatuar 84 luftetarë shqiptarë, ndërsa, 43 të tjerë janë mbytur nën torturë gjatë hetuesisë. Në përleshje me forcat armike janë vrarë 92 luftetarë shqiptarë, ndërsa 5 të tjerë, të plagosur, për të mos rënë të gjallë në duart e armikut kanë bërë vetëvrasje.

39 shqiptarë u denuan me 1607 vjet burg. Vetëm regjimi komunist shqiptar, për 19 atdhetarë shqiptarë ua shqiptoi denimin prej 943 vjetësh, prej tyre dy shqiptarëve nga Kosova, Rexhë Ulajt me 27 vjet dhe Aziz Zhilivoda me 10 vjet burg. Ndërsa dy të arrestuar nga shteti shqiptar, Fuat Dibra dhe Bedri Pejani u janë dorëzuar autoriteteve jugosllave, të cilët i kanë pushkatuar menjëherë.

Koha e lindjës së tyre përfshinë periudhën mes vitëve 1871- 1925. Mosha mesatare e vdekjës së tyre është 43 vjeçare. Shumë prej tyre u vranë e u zhduken për të mos iu ditur varri edhe në ditët e sotme.



Fatet e kryqëzuara të shqiptarëve nëpër histori

Idriz Lamaj, „Tue kujtue Xhafer Devën“, në faqet 48-57, sjell për lexuesit, disa nga karakteristikat përsonale të tij, me theks të veçantë tek tiparet që ndertojnë njeriun, siç e quan autori „Biblik“

Nue Oroshi, në faqet 58-68, sjell të dhëna për udhëheqësin e luftës për Shqipërinë Etnie, Kapedan dr. Mark Gjon Markun. Fillimisht autori bën një përshkrim gjeneologjik 500 vjeçar, duke filluar nga Pal Dukagjini e deri tek Kapedan Dr. Mark Gjon Marku, për të vazhduar me jetën dhe veprën atdhetare te Kapedan Markut.

Ndërsa, nga faqja 85-101, „Mbi qendrimin atdhetar e politik të Ernest Koliqit, Prof.Dr. Romeo Gurakuqi përçëndrohet në tri çështjet madhore të shkrimtarit dhe atdhetarit shkodran: 1. botkuptimi, formimi dhe pikpamjet politike, 2. Koliqi Minister i Arsimit dhe 3. Koliqi dhe kontributi i tij pas luftës së dytë botërore.

Fadil Geci, përmes punimit të tij «Lufta e Drenicës, vazhdimësi e aspiratave çlirimtare shekullore dhe frymëzim për brezat e ardhshëm, udhërrefyes i luftës çlirimtare të vitëve 1998-2001 », faqe 125-131, krijon një urë lidhëse mes heronjëve te kohës së vjetër dhe lindjën e heronjëve në kohën e re.

Petrit Palushi, duke folur për figurën e Muharrem Bajraktarit, në punimin e tij «Refuzimi dhe reagimi ndaj diktaturës komuniste», faqe 132 -142, sjell fakte mbi kundërshtimin e komunizmit dhe përpjekjet e Muharrem Bajraktarit për t’i kthyer shqiptarët drejt Perëndimit.

Në faqet, 153-167, Franë Camaj, flet për kreshnikun e malëve Prekë Calin, të cilin si një lis të gjatë, në moshën 72 vjeçare e shtrijnë për tokë komunistët shqiptarë nën drejtimin e Mehmet Shehut. Autori, duke i ofruar lexuesit fakte historike për luftën e malsorëve tek shpella e Terrtashitës, sot Shpella e Prekë Calit, përmbi Vukël, pasqyron realitetin e një shfrenimi barbarë ideologjik karshi kombëtares, deri edhe në përllosje të Nderit dhe Besës shqiptare. Shih këtu të ndihmuar edhe nga serbët dhe malaziasit.

Në këtë libër nuk mungon as vizioni humanitar i klerit katolik shqiptar. Përmes botkuptimit filozofik pasqyrohet rruga e vetëflijimit për popull e At Anton Harapit. Ai, duke ecur nëpër fshatrat e thella malore të Malësisë së Madhe, përpiqet t’i sheroj malësorët nga kolera, sëmundje kjo që kishte përpirë miliona njerëz nëpër botë. Klajd Kapinova, në temën e tij «I harruari i paharrueshëm At Anton Harapi, martir i fesë dhe i shqiptarizmës se kulluar », faqe 228-267, sjell për lexuesit të dhëna të shumta për punën e tij të madhe në interes të atdheut dhe popullit të tij, i cili dënohet me vdekje nga pushteti komunst shqiptar.

Ibrahim Metaj, « Luftetarët e Shqipërisë Etnike në Istog e rrethinë », faqe 279-285, sjell emra luftëtarësh që punuan për bashkimin e trojeve shqiptare në rrethinën e Istogut, siç janë Col Bajraktari, Bajram e Bardh Gashi, Ramë Alia, Ahmet e Ibrahim Shatri etj.

Ky libër sjell edhe materiale, kumtesa dhe recensione tjera të shumta për atdhetarët dhe përpjekjet e tyre për bashkimin e trojeve shqiptare. Për shperthimin e tyre në sketërrin e shtypjes, ku shihet qartë se si digjen flakë shtyllat e vdekjës. Andaj, ky libër e meriton të lexohet me vemendje.


o Në vend të mesazhit
o Për ne dhe brezat që vijnë duhet gdhendur aq shumë sa të dalin shkëndijat prej guri, që t’i ndriqohet rruga të vertetës historike.

Mos u ndalni, por ngadhnjeni mbi pengesat për t’i sjellur në jetë pishtarët e kombit. Gjurmoni me interes edhe zbrastësitë e dhembshme që populli ynë i ka përjetuar me shpirtin e vet. Të eksplodoj sëmundja e urrejtjës dhe e keqja për t’i sheruar shpirtërat e vuajtur të popullit tonë.

Kjo është pjesë e jona dhe ne jemi të pranishëm në te, me ëndërrën dhe realitetin jetësor.

Prandaj duke iu uruar suksese presim nga ju vepra të reja

0 Kommentare:

Kommentar veröffentlichen

Abonnieren Kommentare zum Post [Atom]

<< Startseite