Dienstag, 28. Juli 2009

KREMTIM DINJITOZ I DITES SE KOMUNES SE DARDANES

KREMTIM DINJITOZ I DITËS SË KOMUNËS SË KAMENICËS
E enjte, 18 Qershor 2009 15:26 Zyra për Informim

Kamenica të enjten ishte veshur me petkun festiv. Kremtja e madhe, Dita e Çlirimit të kësaj komune, është festuar me manifestime të shumta në 10-vjetorin e saj. Një delegacion i përbërë nga strukturat udhëheqëse të Komunës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, deputet të KK-së, përfaqësues të subjekteve politike dhe qytetarë të shumtë, bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh mbi Varrezat e Dëshmorëve dhe lapidarët në Kamenicë në të cilat janë skalitur emrat e dëshmorëve të lirisë, emrat e atyre që u flijuan për lirinë e këtij vendi.



Aktivitetet festive filluan me mbledhjen solemne të Kuvendit Komunal, e cila u mbajt nën drejtimin e Kryetarit të Komunës z. Begzad Sinani. Me këtë rast, kreu i Komunës së Kamenicës, z. Sinani, duke përshëndetur të pranishmit tha:

Të nderuar Qytetarë të Komunës së Dardanës!
Familje të dëshmorëve dhe ju veteran të luftës së UÇK – së!
Policia e Kosovës!
Faorca e Sigurise se Kosoves!
Perfaqesues te KFOR-it!
Zonja dhe zotërinj.

Sot është një Ditë e Madhe, një ditë historike për Komunën e Kamenicës dhe qytetarët e saj. Sot kremtojmë Ditën e Komunës, përvjetorin e 10 –të të Çlirimit të Komunës. Këtë ditë, këtë përvjetorë e bënë më madhështore Shpallja e Pavarsisë së Kosovës dhe pervjetori i pare i Kushtetutes se Republikes se Kosoves. Sot pra Republika e Kosovës udhëhiqet nga akti më i lartë juridik Kushteta e Republikës së Kosovës.
Të nderuar të pranishëm!
Është nder dhe privilegj që ishim dhe jemi në shërbim të aspiratave të qytetarëve te Kosovës, në shërbim të realizimit të endrrës me shekuj e dekada.
Për këtë u jemi gjithmon mirënjohës Dëshmorëve të Kombit, djersës dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës. Gjenerata të tëra të qytetarëve të Kosovës kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre për të arritur në këtë ditë historike.
Shumë prej tyre nuk janë më në mesin tonë dje kujtimi për ta, gjithmonë do të qëndrojë në themelet e shtetit tonë. (kam pasur emocione se dja kam pranuar një pano me fotografi nga viti 1984 ku janë të vendosur dëhomrët e kombit të cilët kazamateve të ish jugosllavisë nuk kanë arritur të dalin nga dera e tyre. Dhe të gjithë ata deri në vitin 1984 ishin dënuar për Republikën e Kosovës. Kujtimi për ta gjitjhmonë do të çëndrojë në themelet e shtetit tonë. Ne I kemi dhënë një kuptim fuqiplotë ditës së komunës dhe shtetit të pavarur të republikës së Kosovës).
Ne sot, 10 vjet pas qershorit të lavdishëm të vitit 1999 ne kemi arritur në këtë cak dhe i kemi dhënë kuptim të plot lirisë së vendit tonë, ne i kemi dhene një kuptim fuqiplot Ditës së Komunës, SHTETIT TË PAVARUR DHE SOVRAN TË KOSOVËS.
Të nderuar delegat dhe te pranishem! Zonja dhe zotërinj,
Puna në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve shtetërore është detyra e ditës.
Në këtë rrugë kontributi dhe puna merr një dimension të ri, të dijës, profesionalizmit dhe kryerjes së obligimeve dhe përgjegjësive.
Sot pas 10 viteve janë bërë të arritura dhe përparime të shumta në të gjitha fushat në infrastrukturë rrugore, ndërtimi i shkollave të reja, ambulancave, urave, progres te demokracise, etj. Sot Komuna e Kamenicës është në agjendë të Qeverisë së Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi, në agjendë të donatorëve të ndryshëm vendore dhe nderkombetare.
Të nderuar pjesëmarrës! Sot ëndrrat tona jane bëre realitet.
Puna jone e mëtutjeshme nuk është edhe e lehtë, ne do të përballemi me sfida të reja.
Sfida, beteja kryesore tani është zhvillimi i vendit.
Në tërë këtë rrugëtim dhe proces kompleks, për asnjë moment, nuk duhet të harrojmë se kishim përkrah miqtë tanë ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Qytetarët e Komunës dhe Qetetarët e Kosovës u shprehin mirënjohje dhe i falënderon përgjithmonë.
Te nderuar Qytetarë! Zonja dhe zotërinj!
Në fund më lejoni që t`i përgëzoj të gjithë qytetarët e Komunës së Dardanës (Kamenicës ) për Ditën e Madhe, Ditën e Çlirimit të Komunës.
Falënderoj të gjithë qytetarët e komunës tonë për mbështetjen që po tregojnë në ngritjen, funksionimin e institucioneve komunale.
Apeloj të gjithë pa dallim që të kontribojmë në ruajtjen, ngritjen dhe funksionimin e institucioneve shtetërore, kështu ne respektojmë mbrojtjen e vlerave tona njerëzore dhe institucionale. Besojmë shumë në energjinë dhe vullnetin e qytetarëve të komunës sonë në krijimin e vlerava standarde të botës së përparuar dhe demokratike e të civilizuar.

Ju faleminderit dhe urime Dita e Çlirimit të Komunës!

Në vazhdim fjalën e mori, këshilltarja e KK-së zonja Nexhmije Kallaba, e cila fillimisht i përshëndeti të pranishmit duke evokuar kujtime nga imazhet e ditës së çlirimit të qytetit të Kamenicës. Ajo theksoi se pas dhjetë viteve, po më 18 qershor, jemi tubuar për të përkujtuar luftën heroike të bijëve tanë më të respektuar dhe më të devotshëm, por njëkohësisht t’u përcjellë mesazhe kuptimplote: kujtimin, nderimin dhe falënderimin për veprën, sakrificën dhe heroizmin e dëshmorëve.

Miku nga Tygjeci tashti me vendbanim në Bursa të turqisë z. Krivaqa para qytetarëve të Kamenicës dhe Këshilltarëve komunalë me emocione të papërshkruara u shpreh se si tre vjeçar është detyruar me familje të shpërngulet nga trojet tona nga zullumi siç tha ai.

“Sot jam shumë i lumtur që jemi të gjithë bashkë për ta festuar Ditën e Çlirimit të Komunës dhe ja pas sa viteve prap jemi të bashkuar. Përhajër ju qoftë pavarësia dhe kur vini në Bursa mos thoni se nuk keni ku të shkoni…se shtëpinë time e keni të hapur kurdo që të vini. Sot ju tash e tutje keni obligim që ta zhvilloni shtetin e Kosovës dhe ta bëni atë të ndihen të gjithë rehat”, ishin fjalët e fundit të bashkëatdhetarit nga Bursa e Turqisë z. Krivaqa.

Më pas kryetari Sinani ka falënderuar publikisht z. Xhevdet Isufin që ka shpreh gatishmërinë për të ndihmuar dhe ta zbukuruar hapësirat e Varrezave të Dëshmorëve. "Dhe sot kur kemi bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve kemi parë dhe jemi ndier më komod për shkak të rregullimit impozant të parkut të varrezave. Edhe një herë publikisht falënderoj z. Xhevdet Isufin për kontributin e dhënë në këtë memorial".

Me një fjalë rasti takimin e ka përshëendetur edhe baci Rexhep Berisha babai i heroit kombëtar Nuhi berisha i cili tha se Kamenica dhe Gjilani ka qenë prijetarë për çdo gjë, qoftë për punë ashtu edhe për demonstarta dhe luftë. Andaj kërkoj që këto dy vende të punojnë më shumë për ta ndërtuar vendin.

Dhjetëvjetori i Çlirimit të Komunës së Kamenicës, është shënuar edhe me një varg aktivitetesh kulturo-sportive. Me këtë rast është shfaqur drama "Shtatë Shaljanët" si dhe janë zhvilluar gara në futboll të vogël kurse në manifestimin qendror është dhënë një koncert me këngë folklorike ku mysafire speciale ishte Shkurte Fejza. Ndërkaq, për të rinjt e qytetit është dhënë një koncert të performuar nga grupi i mirënjohur kosovar “NRG Bend”. Festa ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes.

Pjesëmarrja e qytetarëve në koncertet e mbrëmjes ku ka performuar Shkurte fejza dhe më pas “NRG BEND” ka ndezur atmosferën deri në orët e vona

Dhjetëvjetori i Çlirimit të Komunës së Kamenicës, është shënuar edhe me një varg aktivitetesh kulturo-sportive si: promovimi i librave Gjimnazi “Ismail Qemali” i Kamenicës (1964-2007 tw Mr.sc. Xhavit Kryeziu dhe libri “Falë të qoftë gjaku” të Kadri Osmanit.


Me këtë rast janë zhvilluar gara në futboll të vogël ku ekipi nga Dajkoci ka mundur me ekzekutimin e penalltive ekipin nga Strezoci, kurse takimi në kohën e rregullt është përmbyllur me rezultat të barabartë 3:3. Fituesit kupën e turneut ia ka ndarë Kryetari i Komunës z. Begzad Sinani, duke e vlerësuar këtë turne në futboll të vogël si të suksesshëm ku gjatë disa javëve është zhvilluar një futboll cilësor dhe ku kanë marr pjësë një numër i madh i qytetarëve të komunës.


Kurse në manifestimin qendror është dhënë një koncert me këngë folklorike ku mysafire speciale ishte Shkurte Fejza, këngetarët nga komuna jonë: Nazmije Demolli, dueti Hetem Matoshi dhe Selman Maliqi, Nevrije Demolli dhe mysafir nga shoqëria Kulturo artistike nga Medvegja që kanë pasuruar mbrëmjen folklorike.


Ndërkaq, për të rinjt e qytetit në orën 20:00, është dhënë një koncert të performuar nga grupi i mirënjohur kosovar “NRG Bend”. Pjesëmarrja e të rinjve në këtë koncert ka qenë impozante dhe hapësirat e shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati”, kanë buqitur nga gëzimi dhe vallja e të rinjve. Nga ky gëzim dhe hare i të rinjve nuk ka munguar t`i bashkohet kësaj hareje edhe Kryetari i Komunës z. Begzad Sinani i cili së bashku me të rinjt e qytetit ndau gëzimin.


Festa është përmbyllur deri në orët e vona të mbrëmjes, ku me të drejtë mund të thuhet se ja ka vlejtur të jesh pjesëmarrës i manifestimit për Ditën e Çlirimit të Komunës.

0 Kommentare:

Kommentar veröffentlichen

Abonnieren Kommentare zum Post [Atom]

<< Startseite