Freitag, 9. Oktober 2009

AKADEMI PËRKUJTIMORE PËR AHMET KRASNIQIN




Në Wuppertal të Gjermanisë u mbajt akademi përkujtimore për Heroin e Kosovës Ahmet Krasniqin

Organizuar nga Nëndega e LDK-së në Nordrhein-Westfalen dhe Dega e LDK-së në Gjermani në klubin “7 Shtatori” në Wuppertal, u mbajt akademi përkujtimore në njëmbëdhjetëvjetorin e vrasjes enigmatike të kolonel Ahmet Krasniqit, ish-ministër i parë i mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, i shpallur Hero i Kosovës. Akademia u udhëheq nga Abedin Gashi, anëtar i Kryesisë së nëndegës së LDK-së në NRW kurse krahas bashkatdhetarëve, anëtarëve e simpatizantëve të LDK-së morën pjesë edhe familjarë të kolonelit Krasniqi në krye me vëllain e tij, Behxhet Krasniqin.

Ahmet Krasniqi bëri përpjekje të mëdha për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës

Në emër të organizatorëve të Akademisë foli Muharrem Xhafolli, anëtar i Kryesisë së nëndegës së LDK-së në NRW. Ai ndër të tjera tha se për t’i pasur të qarta shkaqet e vrasjes së Ahmet Krasniqit, duhet pasur të qartë situatën politike që mbretëronte në gjithë hapësirën tonë kombëtare. Krijimi i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në vitin 1998, krijoi bazën e një organizimi institucional të luftës çlirimtare të popullit tonë që ishte nënë robërinë serbe. Ardhja në krye të Ministrisë së Mbrojtjes të një atdhetari, që rrjedhtë nga një familje me tradita të larta të atdhedashurisë dhe të trimërisë, të kolonel Ahmet Krasniqit, njërit ndër ushtarakët shqiptarë me përgatitje të lartë profesionale, bëri që të alarmohen armiqtë tanë shekullor nga droja se krijimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, për të cilat punonte me përkushtim Ahmet Krasniqi, do t’ua prishnin planet dhe skenarët që i kishin thurë. Ahmet Krasniqi bëri përpjekje të mëdha për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak të Republikës së Kosovës, që ishte kushti i parë për të iu kundërvu me sukses makinerisë ushtarake të Serbisë, në realizimin e aspiratave të saja antishqiptare.

Ahmet Krasniqi edhe pse ishte i vetëdijshëm se kundër tij dhe SHP të FARK-ut po behën komplote të rrezikshme, nuk e ndali veprimtarinë e tij për bashkimin e subjekteve politike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës. Ai dha shembull konkret se shqiptarët duhet harruar mosmarrëveshjet, xhelozitë dhe hasmëritë që i kishin në mes vedi për shkak se ishim në luftë me Serbinë. Në vitin 1992 familja Krasniqi në Zhilovodë ishin bër objekt kontrollimi dhe maltretimi nga policia serbe, ngase siç thoshte policia serbe "nipat e Aziz Zhilivodës, kanë formuar njësite guerile të cilat po veprojnë rrëzë Qyqavicës", dhe pas shumë peripecive dhe përpjekjeve arritën që Ahmeti e më vonë edhe Behxheti e të tjerë, të shpëtojnë kthetrave të policisë serbe dhe të largohen për në Shqipëri.

Në emër të Degës së LDK-së në Gjermani foli Myftar Halili – Dragidella, anëtar i Kryesisë dhe zëdhënës i saj. Ai pasi përshëndeti të pranishmit dhe pasi i falënderoi ata për pjesëmarrje në këtë akademi sikurse në të gjitha manifestimet që i organizon Dega e LDK-së në Gjermani foli edhe për kontributin e madh të Heroit të Popullit kolonel Ahmet Krasniqit. Ai tha se vrasja enigmatike në kryeqytetin shqiptar e ministrit të mbrojtjes dhe atë në kohë të luftës ishte sulm ndaj përpjekjeve të luftëtarëve shqiptarë për çlirimin e Kosovës. Kolonel Ahmet Krasniqi do të mbetet gjithmonë njëri prej personaliteteve më të çmuara shqiptare si në përpjekje për çlirimin e Kosovës ashtu edhe kudo ku ai jetoi e veproi. Apeli ynë, tha ai, do të ishte: Të zbulohet vrasësi i kolonelit dhe eshtrat e tij të kthehen në Kosovë, për të cilën ai e dha jetën.

Qazim Bajgoraliu, sekretar i Degës së LDK-së në Gjermani, ndër të tjera tha se kolonel A. Krasniqi ishte autor i shumë punimeve te shumta studimore dhe shkencore në lëmin e artit ushtarak. Karriera ushtarake e tij në armatën jugosllave ishte përplot barriera dhe pengesa, ishte degraduar disa herë, vetëm e vetëm se ishte shqiptar me shkathtësi të veçanta prej ushtaraku, e degraduan edhe me rastin e burgosjes së vëllait të tij Behxhetit në vitin 1982, nga se edhe ky iu kishte bashkangjitur dhjetë vite më vonë lëvizjes së cilës i takonte kolonel A. Krasniqi. Kolonel A. Krasniqi, kishte punuar me përkushtim të madh për të koordinuar aktivitetin e eprorëve shqiptarë me qeverinë e Republikës së Kosovës që nga viti 1993 dhe sidomos në vitin 1998, që me profesionalizëm të lartë për të ngritur bazat e një ushtrie e cila do t´i jepte grushtin dhe goditjen e fortë forcave serbe.

Eshtrat e Heroit Ahmet Krasniqit të kthehen në Kosovë

Kolonel A. Krasniqi, si komandant i përgjithshëm i shtabit të FARK dhe ministër i mbrojtjes punoi gjithashtu me përkushtim për institucionalizimin e ushtrisë dhe unifikimin e faktorit ushtarak dhe atij politik. Ishin rezultatet e punës së tij, që kolonel A. Krasniqi i sollën vdekjen e parakohshme nga se çdo ditë UÇK, po forcohej dhe profesionalizohej dhe për armiqtë e shqiptarëve po bëhej vonë, nëse UÇK ngrihej në dy këmbët, kështu qe pushteti i qeverisë së Nanos, në bashkëpunim me forcat tjera të errëta, mundësuan armiqtë e UÇK-së dhe popullit shqiptar të kryejnë atentatin që i mori jetën ministrit, komandantit, ushtarakut, shkencëtarit e atdhetarit, kolonel Ahmet Krasniqit dhe kjo ishte goditje e madhe për UÇK dhe popullin shqiptar në përgjithësi. Gjatë veprimtarisë së tij në Shqipëri ballafaqohej me vështirësi dhe ka qenë shumë herë i ndaluar dhe i kontrolluar nga policia e shtetit amë, si në Tiranë ashtu edhe ne Kukës e gjetiu dhe të gjitha këto i përballonte me shpresë se një ditë do të tejkalohen, por fatkeqësisht dora tradhtare ia mori jetën dhe dëshira e tij për atë që punoi nuk u realizua, pra të formonte një UÇK që në të vërtetë do të çlironte Kosovën. Një ditë eshtrat e kolonel A. Krasniqit duhet të kthehen në tokën e Kosovës, për të cilën aq shumë punoi dhe e deshi dhe së një ditë do të ndriçohen të gjitha ato pengesa dhe vështirësi. – tha Qazim Bajgoraliu.

Në këtë akademi folën edhe Refki Ahmeti, ish-ushtar i kolonelit Ahmet Krasniqi, Agush Balaj, ish-deputet i Kuvendi të Kosovës që në Kaçanik aprovuan Kushtetutën e Kosovës, krijuesi Faruk Tasholli, aktori Liman Zogaj recitoi për Heroin Ahmet Krasniqi sikurse që me një recitim u paraqit edhe e reja Bleona Muçolli.

Në emër të familjes Krasniqi, organizatorët e kësaj akademie dhe të gjithë pjesëmarrësit i falënderoi Dardan Krasniqi, nip i kolonelit Ahmet Krasniqit. Ai me duke iu drejtuar pjesëmarrësve ndër të tjera tha: Me pjesëmarjen tuaj në këtë tubim ju keni nderuar Ahmet Krasniqin, keni nderuar përpjekjet e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij për të bërë një ushtri të organizuar mirë dhe të depolizituar tërësisht, ushtri e cila do të ishte e denjë për t´u ballafaquar me armikun shekullor dhe jo vetëm për t´u ballafaquar por edhe për të triumfuar ndaj tij. Axha im Ahmeti, siç e dini edhe ju krahas detyrës sie ministrit ai ka bërë përpjekje që të bashkojë faktorin politik, sepse e dinte se vetëm të bashkuar mund ta bënin realitet ëndrrën shekullore për liri e pavarësi të trojeve shqiptare në përgjithësi, andaj unitetin e konsideronte armën kryesore. Për këtë unitet ai kishte sakrifikuar çdo gjë, pra edhe jetën. Ju duhet ta dini se ai ishte ekzekutuar nga ata që ishin kundër bashkimit tonë, e ekzekutuatn ata kriminelë që në kohërat më të vështira që kalonte populli ynë mendonin vetëm për përfitime materiale.

Myftar Halili

0 Kommentare:

Kommentar veröffentlichen

Abonnieren Kommentare zum Post [Atom]

<< Startseite